Arjan Shahaj: Më dhunonte shpesh, ma kishte bërë borxh

Arjan Shahaj, 35-vjeçari që vrau babain e tij tre ditë më parë, do të qëndrojë në burg. Gjatë seancës, ai tregoi se nuk kishte pasur qëllim ta vriste të atin, Ilijaz Shahaj. I akuzuari sqaroi se ai e kishte detyruar që të hipte në një dru që kishte shumë grerëza.

“Më dhunonte shpesh dhe ma kishte bërë borxh. Atë ditë u nisëm në mal për dushk. Babai më tha që të hipja në lis i cili kishte grerëza. Nuk pranova pasi picikimi i tyre më bën reaksion. Ai më tha që do hipësh, duke më qëlluar me pëllëmbë. Unë i lëshova sëpatën dhe e kam qëlluar me bishtin e saj dhe më pas ika me vrap”.

35-vjeçari ka qenë i dënuar më parë me 8 vite burg për një plagosje dhe prej kohësh vuante nga probleme mendore për të cilat kurohej. Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në fshatin Shalës të Memaliajt, ndërsa autori u arrestua disa orë më vonë në Levan në një furgon teksa udhëtonte drejt kryeqytetit.

Tv Klan