Tentoi të vriste me armë zjarri kushëririn e tij, pas një konflikti të çastit në banesë, ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi ngjarjen.

Policia arrestoi në flagrancë autorin e ngjarjes.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë sekuestruan armën e zjarrit tip kallashnikov me 16 fishekë në krehër.

Policia e Beratit, sapo ka marrë njoftim se në fshatin Karkanjoz, Berat, po ndodhte një konflikt mes dy shtetasve, menjëherë ka shkuar në adresën e dhënë.

Falë reagimit në kohë, shërbimet e Policisë kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit që do kishte pasoja të rënda për jetën, pasi shtetasi K. S., 35 vjeç, ka tentuar të vrasë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin Sh. S., 51 vjeç, banues në Karkanjoz, Berat.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën e autorit dhe falë ndërhyrjeve të shpejta e kanë kapur dhe arrestuar atë në flagrancë.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar armën e zjarrit tip kallashnikov me 16 fishekë në krehër.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.