Një infermiere ka mbetur e plagosur pasi u godit me thikë nga një 36-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme rreth orës 19:15 në fshatin Arrëz të Lushnjes.

Autori i dyshuar me iniciale A.M. u arrestua nga policia në flagrancë duke tentuar që të largohej nga vendngjarja.

Sipas policisë, infermierja 59-vjeçare me iniciale A.T. e qendrës shëndetësore të fshatit Arrëz, kishte shkuar në banesën e autorit për t’i bërë gjilpërën nënës së tij të sëmurë.

Nuk dihet çfarë debati ka pasur mes infermieres dhe autorit të dyshuar, që e nxiti këtë të fundit të godiste me thikë 59-vjeçaren.

Ndërkohë, infermierja ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. /tvklan.al