Spanja dhe Franca shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

E diela shënoi rritje të ndjeshme të përhapjes së koronavirusit në Europë dhe Shtetet e Bashkuara. 368 viktima të tjera janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit në Itali, duke e çuar në 1809 numrin e përgjithshëm të tyre. Ndërsa numrit të të infektuarve iu shtuan mbi 2800 persona duke arritur një total prej rreth 20 600.

Spanja ka zënë vendin e dytë në kontinent për ritmet e përhapjes së koronavirusit. 100 viktima u shënuan gjatë 24 orëve të fundit, duke e dyfishuar numrin e numrin e përgjithshëm të tyre në 196. Ndërsa shifra e të prekurve ka arritur në afro 6400, duke u rritur po ashtu ndjeshëm. Kjo situatë detyroi kryeministrin Pedro Sançez të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, duke mbyllur të gjitha aktivitetet tregtare, veç farmacive e ushqimore. Është ndaluar ashtu qarkullimi mes qyteteve, kurse qytetarëve u bëhet thirrje me dronë të qëndrojnë në shtëpi.

Gjendje e jashtëzakonshme nga koronavirusi edhe në Francë ku këtë të diel u zhvilluan zgjedhjet lokale, pavarësisht thirrjeve të shumta për anulimin e tyre. Qendrat e votimit u dezinfektuar, ndërsa votuesit duhet të mbajnë masa dhe të ruajnë distancën e përcaktuar nga njëri-tjetri. 91 janë viktimat në këtë vend dhe mbi 4400 të infektuar.

Shifër e lartë të infektuarish të rinj brenda një dite edhe në Greqi, ku 103 persona iu shtuan kësaj liste duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre 331. Deri më tani numërohen 4 të vdekur.

Papa Françesku urdhëroi anulimin e të gjitha ceremonive që u paraprijnë pashkëve katolike të 12 Prillit.

Gjermania mbylli kufijtë me Francën, Italinë dhe Zvicrën, teksa Berlini ka nisur përpjekjet për të penguar administratën amerikane në blerjen e ekskluzivitetit të vaksinës që po zhvillohet nga firma gjermane CureVac në Tybingen, që nga provat e deritanishme rezulton ndër kurat më të efektshme kundër koronavirusit. Mediat gjermane thanë se Trump ka ofruar një shumë tepër të lartë për të blerë ekskluzivitetin në mënyrë që kompania të prodhojë fillimisht për tregun amerikan. Viktimat në Shtetet e Bashkuara arritën në 57 dhe afro 3 mijë të infektuarit.

Numri i viktimave në gjithë botën ka arritur në mbi 5800, të infektuarit prej fillimit të përhapjes numërohen në mbi 156 mijë, ndërsa të shëruarit afro 74 mijë.

Tv Klan