Historitë e dashurisë janë gjithmonë të bukura për t’u dëgjuar dhe për t’u jetuar. Sigurisht, janë më të bukura kur nuk kanë një fund dhe kur jetohen të plota në thellësinë e tyre, përtej çdo pengese dhe kufiri.

Gjovalin Zefi ka rrëfyer në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, historinë e tij të dashurisë me një vajzë greke, kur ai ishte në Selanik. Njohja me të ka qenë një rastësi e bukur, edhe pse ai fillimisht ishte shumë i tërhequr, ndërsa ajo më e dhënë pas tij. Lidhja filloi dhe po vazhdonte mirë, por ekzistonte një problem dhe ishte reagimi i babait të saj grek, kur ta merrte vesh lidhjen e vajzës së tij me një shqiptar.

Gjovalin Zefi: Kam shkuar në Selanik jam njohur me një zotëri aty, punonte me djalin e vet, me vajzën dhe me dhëndrrin e vet, në një fabrikë plastike dru alumini.

Mirela Milori: Kur fillon historia jote e dashurisë?

Gjovalin Zefi: Aty punova 3 vite shumë mirë tek ajo punë dhe fillova të dal në qytet në Selanik.

Mirela Milori: Dhe kur dole në qytet njohe një vajzë?

Gjovalin Zefi: Duke dalë në qytet, kisha shumë këshilla të mira nga kjo familja që jetoja aty.

Mirela Milori: Nga familja greke që të ndihmoi?

Gjovalin Zefi: Kujdes se je i vogël, kujdes se mund të marrësh rrugë të keqe. Çdo gjë më thoshte kujdes.

Mirela Milori: Pra ishte si një familje për ty, të këshillonte?

Gjovalin Zefi: Ai u bë si familje, me të vërtetë të gjithë. Fillova duke dale unë, u njoha me një vajzë greke.

Mirela Milori: Do ja themi emrin?

Gjovalin Zefi: Evangjelia quhet!

Mirela Milori: Ajo e dinte që ishe shqiptar?

Gjovalin Zefi: Po që në momentin e parë!

Mirela Milori: Filloi njohja! Kur u lidhët?

Gjovalin Zefi: Unë dola me ca shokë për kafe, njëri nga këta shokët, nuk e di si i kishte njohur, por erdhi një grup vajzash, i njihte ato vajzat, erdhën për kafe, shumë mirë, lokali ishte shumë i madh. Hyra në muhabet me këtë. Nga je më tha, i thashë shqiptar, nuk kisha arsye mos i thosha. Isha atëherë i turpshëm, por edhe një tip i mërzitur, kam ardhur për një qëllim para, nuk e kisha atë mendjen të hyja në muhabet.

Mirela Milori: Para sa vjetësh zhvillohet ngjarja?

Gjovalin Zefi: Filllimi ka gati 14 vjet!

Mirela Milori: Megjithatë ju njiheni?

Gjovalin Zefi: Pyetëm njëri –tjetrin, por pyeste më shumë ajo, se isha tip i mbyllur.

Mirela Milori: Çfarë të tërhoqi më shumë të Evangjelia?

Gjovalin Zefi: Mbaj mend, po ta tregoj se çfarë. Mbaj mend që ka marr telefonin dhe ka shkruar numrin e vetë dhe më thotë kam shkruar numrin tim. Normal emocione të mira ato. Edhe u larguam, s’e kisha mendjen fare, të tjerët ndoshta i jepnin muhabet, por unë s’e kisha mendjen fare aty. Në darkë folëm në telefon dhe kanë kaluar 6 muaj në mënyrë shoqërore, atëherë në ato vite që ishim të vegjël. Pastaj u lidhëm tamam.

Mirela Milori: Çfarë të tërhiqte?

Gjovalin Zefi: Ajo ishte vajzë simpatike. Tani varet si e sheh çdo njeri.

Mirela Milori: Dakord me sytë e ty po flasim tani?

Gjovalin Zefi: Në sytë e mi ishte simpatike, edhe serioze, por edhe mbi të gjitha karakter dhe e rregullt. Dy vitet e para ja kaluam shumë mirë, emocione rinie, nuk e kishte marrë akoma vesh babai i vetë.

Mirela Milori: Që ajo ishte lidhur me një djalë shqiptar?

Gjovalin Zefi: Po, edhe për sa më thoshte kjo vajza, shqiptarët babi i vetë nuk i kishte qejf të kishte asnjë lidhje me ta. /tvklan.al