Përmirësohet ndjeshëm situata në spitale

Ndryshe nga një ditë më parë kur pati vetëm 17 raste të reja kjo e martë ka shënuar një rritje të lehtë të infektimeve me Covid. Nga 3169 testime të kryera në të gjithë vendin kanë rezultuar pozitivë 39 qytetarë.

6 prej rasteve të reja i ka Gjirokastra e ndjekur nga Shkodra, Tirana, Devolli, Vau i Dejës, etj. Në 24 orët e fundit janë shëruar 986 qytetarë, por ende janë aktivë mbi 3200 raste. Një 72-vjeçar nga Fieri humbi jetën si pasojë e infektimit duke e çuar në 2436 numrin e viktimave që nga nisja e pandemisë.

Një situatë më e stabilizuar është në spitale ku shifrat e pacientëve vijojnë të bien. Aty po 71 persona nga të cilët 7 janë në terapi intensive ndërsa sërish nuk ka të intubuar. Durrësi mban numrin më të lartë të të shtruarve në spitale krahasuar me rastet pozitivë aktivë. 20% e të infektuarve aktivë në këtë qytet po marrin ndihmë mjekësore në spital.

Pas tij vjen Elbasani, Fieri dhe Vlora. Kryeqyteti që ka numrin më të lartë të të infektuarve ka të shtruar në spital vetëm afro 1 % të tyre. Ekspertët thonë se tashmë personat që kanë nevojë për hospitalizim po qëndrojnë më pak se dy javë në spitalet Covid për shkak të rënies së agresivitetit të virusit. Po ashtu imunizimi natyror dhe vaksinimi kanë ndikuar në përmirësimin e situatës së pandemisë.

Tv Klan