Pas shembjes së një ndërtese në periferi të Mumbai e cila strehonte 54 familje, 39 persona kanë humbur jetën dhe të paktën tetë persona janë deklaruar si të zhdukur.

Edhe pse nuk dihet numri i saktë i njerëzve që ndodheshin në ndërtesë, punëtorët e shpëtimit po luftojnë me shiun dhe kushtet e rënda për të pastruar rrënojat dhe për të kërkuar për të mbijetuar të mundshëm, tha për Reuters, kreu i Forcës Kombëtare të Reagimit ndaj Fatkeqësive, Satya Pradhan.

Ndërtesa, e cila ishte një strukturë 3-katëshe në një rrugicë të ngushtë të qytetit industrial të Bhiwandi, u shemb mëngjesin e së hënës.

Puna e forcave të shpëtimit është penguar nga shiu dhe nga hyrja e ngushtë e rrugicës, e cila nuk lejonte që pajisjet e rënda të futen për të pastruar mbetjet, që do të lehtësonin kërkim-shpëtimin.

Zyrtarët po vazhdojnë të hetojnë shkakun e shembjes edhe pse gjatë sezonit të musoneve fatkeqësi të tilla janë të zakonshme në Indi, pasi shirat e rrëmbyeshëm mund të ndikojnë në lëkundjen e ndërtesave të vjetra dhe shpesh të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. /tvklan.al