Autorët e krimeve në drejtim të paditur

Po kthehen në traditë tashmë në Vlorë, në Shkodër dhe në Elbasan ekzekutimet në prita, ku ekzekutoret largohen në drejtim të paditur. Shkaqet janë po ato, pazare droge të lëna pezull apo hasmëri mes fiseve, që vazhdojnë prej dekadash! Ende pa mbaruar muaji Maj, 4 atentate kanë tronditur vendin.

I fundit ishte në Vlorë, pak ditë më parë kur Delon Troqe u qëllua me breshëri kallashnikovi, para biznesit të tij. Plumbat i morën jetën 38-vjeçarit që ndodhej bashkë me familjarët e tij. Troqe sapo ishte kthyer nga Spanja. Ai kishte në pronësi një servis skafesh në Vlorë.

Bledar Birçaj u vra në mes të ditës në Vlorë, ndërsa lëvizte me automjetin e tij. Birçaj u qellua me breshëri plumbash nga dy persona. Dy persona të tjerë, që udhëtonin në të njëjtën makinë me Birçajn shpëtuan për mrekulli. Viktima ishte pronar i një lokali në bregdet.

Everest Çaka udhëtonte me bashkëshorten e tij në mbrëmjen e datës 11 Maj. Sapo ishte kthyer nga Gjermania, kur një makinë e ka goditur nga pas. Bashkëshortja e tij tregoi se vrasësi erdhi nga pas me një pistoletë me silenciator dhe pasi ekzekutoi Çakën u largua pa lënë gjurmë.

Dyshimet për vrasjen e tij janë hasmëritë e vjetra, por nuk përjashtohen edhe pazaret e prishura të trafikut të drogës.

Ekzekutimi i Endri Mustafës, dëm kolateral i përplasjes mes dy fiseve, ishte një dëshmi e fortë e konfliktit të ashpër në Shkodër. Policia ka shpallur në kërkim Ibrahim Licin për ngjarjen, por familjaret e viktimës e kanë mohuar publikisht përfshirjen e fisit Lici dhe të fisit të Bajrave në këtë ngjarje. Dëshmitari i vetëm është një 15-vjeçar i arrestuar.

Për këto ngjarje të rënda dhe të tjera të ndodhura gjatë këtij viti, policia nuk ka asnjë të arrestuar, pasi kur kanë mbërritur uniformat në vendngjarje, ekzekutorët kanë qenë një hap para.

Tv Klan