Në garë mbeten Basha, Kadilli, Harxhi dhe Shehaj

Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi dhe Agron Shehaj janë zyrtarisht 4 kandidatët që do të konkurrojnë për të drejtuar Partinë Demokratike në vitet në vijim.

Kryesia e Partisë Demokratike e mbledhur pasditen e kësaj të diele diskutoi dhe miratoi emrat e 4 kandidatëve që plotësojnë kriteret statuore për të qenë pjesë e garës për drejtuesin e ri të kësaj force.

Kandidatura e Lulzim Bashes si kryetar diskutohet për herën e tretë nga kryesia e PD-së. Pasi ka thënë se nuk do ta njohë kurrë rezultatin e 25 Prillit, Basha futet në garë me tezën e masakrës elektorale dhe kërkon votën e demokratëve për të drejtuar sërish.

Fatbardh Kadilli kërkoi një shans për drejtimin e Partisë Demokratike menjëherë pas daljes se rezultatit zyrtar. Sekretari për Burimet Njerëzore në PD, premton një kthesë në drejtimin e Selisë Blu, por duke qartësuar se nuk do ta tradhtojë kurrë partinë.

Kandidatura e Agron Shehajt ishte surprizë dhe sjell më vete një rezultat po aq surprizues ditën e zgjedhjeve, kur Shehaj mori në Tiranë 13 mijë e 862 vota.

Pjese e garës do jetë edhe Edit Harxhi, ish Zv/Ministrja e Jashtme, që u paraqit si kandidaturë e një grupimi të quajtur “Për PD” dhe që kërkoi dorëheqjen e menjëhershme dhe të pakontestueshme të Bashës pas 25 Prillit.

Ndërkohë kryesia përjashtoi nga konkurrimi 4 kandidatë të tjerë, përfshi këtu edhe Ibsen Elezin. Mësohet se skualifikimi i  tij është bërë pasi ka mbajtur qëndrime kundër interesit të partisë.

Mbledhja e kryesisë u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi dhe dy nënkryetarët e saj, pasi vetë kryedemokrati Lulzim Basha nuk morri pjesë në të.

Pas këtij vendimi, kandidatët do të nisin takime në 61 degët e PD për të prezantuar platformat e tyre, ndërsa më 13 Qershor demokratët do të votojnë për kryetarin e ri sipas parimit 1 anëtar 1 votë.

Tv Klan