4 kandidatë të LSI-së marrin mandatin e deputetit

4 kandidatë të LSI-së marrin mandatin e deputetit

15:52 03/03/2019

Duke nisur nga e hëna katër kandidatë nga lista shumëemërore e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të ulen në karriget e lëna bosh pas djegies së mandateve nga deputetët e opozitës.

Zyrtarizimi i vendimit pritet të bëhet të hënën nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, i cili ka parashikuar në rend të ditës dhënien e mandatit për Aurora Marën në Qarkun e Dibrës, pas dorëheqjes së Përparim Spahiut. Ylli Shehu dhe Edmond Rrushaj në Tiranë do të ulen në vend të Endrit Braimllarit dhe Floida Kërpaçit. Kandidati i katërt që ka pranuar të marrë mandatin e  deputetit në radhët e LSI-së në Qarkun e Elbasanit pas dorëheqjes së Edmond Haxhinastos është Enver Roshi.

Por këta katër emra nuk janë të vetmit në listën e kandidatëve që kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit, duke mos iu bindur vendimit të liderëve të partive opozitare.

Nga radhët e LSI-së pas thirrjes së ndërkombëtarëve mund t’i shtohet edhe Ralf Gjoni, i 11 –i në listën e Tiranës. Ai nuk ka pranuar të firmosë heqjen dorë nga mandati duke deklaruar pas një takimi që pati me eurodeputetin Knut Fleckenstein se do të vendosë, pasi të thirret nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe pas disa konsultimeve.

Të pavendosur nga radhët e LSI-së janë edhe kandidatja e Durrësit, Edlira Hyseni, ndërkohë që Lefter Koka, i cili kryeson listën e këtij qarku nuk e dorëzoi mandatin e deputetit.

Refuzime ka edhe në radhët e demokratëve. Kështu Ligoraq Karamelo, i gjashti në listën shumëemërore në Qarkun e Korçës apo Lefter Maliqi, i treti në Qarkun e Beratit, por që në vitin 2017 bëri fushatë për Partinë Socialiste dhe sot mban detyrën e zëvendës/drejtorit të Pergjithshëm të Burgjeve nuk kanë pranuar t’i binden vendimit të Lulzim Bashës.

Zana Prela e 49 në listën për qarkun e Tiranës si dhe Kujtim Gjuzi, kreu i Partisë Konservatore, i cili renditet i 19 në listën e PD-së në Qarkun e Durrësit dhe Andi Përmeti i 12-i në listën e PD-së  në Qarkun e Korçës janë shprehur pro marrjes së mandatit të deputetit.

Sakaq, Rudina Hajdari e Mylsim Murrizi nuk i kanë dorëzuar mandatet e deputetëve. Këtij të fundit dalja kundër vendimit të Këshillit Kombëtar i kushtoi edhe shkarkimin nga të gjitha funksionet partiake.

Në parlament pritet të ulen në rreshtin e opozitës 16 deputetë, 9 prej të cilëve nga PD dhe 7 të LSI-së, përballë 75 deputetëve të Partisë Socialiste dhe PDIU –se që i janë bashkuar mazhorancës.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT