150 familje kërkojnë çdo ditë të përfitojnë nga projekti

Për të kursyer sa më shumë energji elektrike dhe për të reduktuar faturën, konsumatorët shqiptarë kanë shfaqur interes të shtuar për instalimin e paneleve diellore për ngrohjen e ujit me financim 70% nga buxheti i shtetit.

Ani Hasa, Drejtori Agjencisë së Eficencës së Energjisë thotë se afërsisht 150 familje në ditë aplikojnë për instalimin e paneleve, duke arritur shifrën e 4 mijë të tilla.

Ani Hasa: Një pjesë  e konsiderueshme janë aprovuar, të cilët kanë vijuar edhe me pagesën e 30 %  tek subjektet dhe gjithashtiu një pjesë  e tyre kanë marrë shërbimin e  instalimit, pra ka patur edhe instalime gjatë kësaj periudhe nga data 1 Nëntor deri tani. Por po ecet me ritme shumë të mira afërsisht 150 aplikime çdo ditë.

Aktualisht Agjencia për Eficencën e Energjisë po shqyrton 2 mijë dosjet fituese, për të vijuar më pas me 2 mijë të tjerat për të mbyllur fazën e parë të 4 mijë njësive instaluese.

“Numri i konsumatorëve familjarë është e i konsiderueshëm, ne po vijojmë me numrin e 2 mijë aplikuesve të parë dhe më pas do të vijojmë edhe në javët në vijim për pjesën e mbetur të 4 mijë aplikuesve. Në këto momente po shqyrtojmë 2 mijë aplikimet e para ku një shifër e konsiderueshme. Ka  pasur refuzime pasi disa nuk kanë paraqitur dokumentacionin e saktë”, tha Ani Hasa.

Nëse një konsumator rezulton refuzes në aplikimin e parë, ai mund të riaplikojë sërish duke përmbushur edhe arsyen e refuzimit të parë.

“Kjo fazë e parë është deri në 30 Janar 2023. Edhe nëse një përson rezulton i refuzuar në aplikimin e parë, ai mund të riaplikojë sërish me një dresë tjetër e-maili duke përmbushur edhe kriteret për të cilat është refuzuar”, u shpreh Ani Hasa.

Nëse do të ketë numër të lartë aplikimesh, thirrja pritet të hapet sërish në Janar.

Tv Klan