Tre persona, dy prej të cilëve shqiptarë, kanë pranuar para një gjykate në Britaninë e Madhe se janë marrë me prodhimin e kanabisit. Sipas asaj që shkruajnë mediat, shqiptarët A. Gjuzi, 24 vjeç, S. Lloni, 31 vjeç dhe polaku Jacek Pieczur, 24 vjeç u kapën gjatë një operacioni të autoriteteve britanike më 8 Tetor.

Në këtë aksion u sekuestruan 8.000 deri në 10.000 rrënjë kanabis sativa, vlera e të cilëve në treg do të shkonte deri në 4 milionë Paund. Gjithashtu në fabrikën ku ata u vunë në pranga, policia gjeti edhe pajisje elektrike që shërbenin për rritjen e bimëve.

Pajisjet e nxehtësisë, llambat dhe matësit e temperaturave, sipas mediave, janë dërguar në kopshtin zoologjik të Blackpool për të ndihmuar në përkujdesjen ndaj kafshëve dhe insekteve. Policia e konsideroi fabrikën e kanabisit, si më të madhen që është gjetur në Lancashire. /tvklan.al