U deshën 4 orë dhe mbi 50 forca zjarrfikëse për të shuar zjarrin që u ndez mbrëmjen e së premtes në fabrikën e këpucëve në Shullaz të Kurbinit.
Gazetari Martin Marku mëson se zjarrfikësit që erdhën nga Tirana, Kamza, Mirdita, Lezha dhe Kurbini arritën të vinin nën kontroll flakët vetëm pas mesnatës.
Fabrika në fjalë është në pronësi të Nikolin Lleshit, i cili ushtronte aktivitetin e tij prej disa vitesh. Ndërkohë raportohet se dëmet e shkaktuara janë të mëdha.
Në magazinën e fabrikës kishte materiale prej lëkure si dhe vajra, që bënë që zjarri të përhapej me shpejtësi.
Shkaqet e flakëve mbeten ende të paqarta. Për këtë arsye ka nisur një hetim për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.
Për arsye sigurie, policia bllokoi edhe qarkullimin e automjeteve në aksin e vjetër Milot-Laç, aty ku ndodhej fabrika./tvklan.al