Policia në kërkim të trupit, u vra gjatë pengmarrjes

Ka shkuar në 5 numri i të arrestuarve për pengmarrjen e Jan Prengës. Burime nga policia thonë se në mbrëmje u arrestua në Kavajë një i afërm i familjes Hajri, katër anëtarët e cilës dyshohet se janë autorët e pengmarrjes dhe vrasjes së 49-vjeçarit.

I prangosuri i fundit dyshohet se ka fshehur rrobat e viktimës duke penguar kështu zbardhjen e së vertetës. Të arrestuarit janë marrë disa herë në pyetje në drejtorinë e Policisë së Tiranës, por nuk kanë pranuar të flasin para hetuesve.

“Në Shijak vijojnë kontrollet për gjetjen e trupit të 49-vjeçarit Jan Prenga. Pas meje është kompleksi ku mendohet se ai është dërguar i pajetë. Aty do të mbahej peng për shkak të një konflikti. Por ai ka ndërruar jetë nga plagët që ka marrë nga goditjet kur u rrëmbye në Kamëz, çka i ka prishur planet e pengmarrësve”.

Policia tha se Jan Prenga humbi jetën gjatë kohës që pengmarrësit e tij do ta transportonin në resortin ‘Golden’ në Shijak, pasi e morën me forcë në rrugën ‘London’ në Kamëz.

“Ngjarja ka ndodhur mesditën e 17 Janarit, ku dy persona, pasi e kanë dhunuar, e kanë futur në mjet dhe më pas e kanë transportuar drejt Shijakut”.

Policia thotë se autorët e pengmarrjes dhe vrasjes janë Bajram Hajri dhe dy djemtë e tij Leonard Hajri dhe Elton Hajri, si dhe dhe Olsi Turja. Të katërt u arrestuan në një operacion të zhvilluar të hënën nga RENEA. Në kërkim është shpallur Altin Hajri, pronar i resortit, ku dyshohet se u mbajt trupi i viktimës, përpara se të zhdukej.

Hetimet kanë zbardhur edhe shkaqet e rrëmbimit të Jan Prengës. Policia tha se ai ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, për shkak të disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe.

Në resortin “Golden” dhe disa hotele e banesa policia sekuestroi 2 pistoleta, municione, 4 automjete e disa sende të tjera. Autorët e ngjarjes do të përballen me drejtësinë për disa vepra të rënda penale, si “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Moskallëzimi i krimit” apo  “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje.

Tv Klan