Prokuroria: Ka pamje filmike, që provojnë tentativën për vrasje

4 të arrestuarit për atentatin e mbetur në tentativë ndaj biznesmenit Andon Dhima, kanë mohuar akuzat. Ata janë shprehur para hetuesve se nuk kanë pasur asnjë qëllim për të vrarë apo kërcënuar Andon Dhimën.

Mësohet se Grid Leno, Albin Hoxha, Mariglen Matohiti dhe Enea Hoxha u kanë thënë hetuesve se prania e tyre në zonën ku banonte Andon Dhima nuk lidhet me ndonjë tentativë vrasje.

Por të njëjtat burime pranë organit të akuzës thanë se prokuroria ka në dispozicion pamje të shumta filmike, se si mbrëmjen e 15 Tetorit rreth orës 22:00, Grid Leno dhe Albin Hoxha ndoqën nga pas biznesmenin 51-vjeçar, kur ai po hynte në banesë.

Nga këqyrja e imtësishme e këtyre pamjeve është vënë re së të dy kanë qenë të armatosur dhe plani i tyre dështoi, për shkak se Dhima arriti të merrte në kohë ashensorin.

Prokurorët kanë në dispozicion edhe armën, makinën dhe veshjet e sekuestruara që autorët përdorën natën e ngjarjes. Prokuroria e ka regjistruar tashmë akuzën për “vrasje të mbetur në tentativë”, armëmbajtje pa leje dhe përdorim i paligjshëm i uniformës së policisë dhe i ka kërkuar gjykatës lënien ne qeli të 4 të arrestuarve.

Hetimet vijojnë për zbulimin e porositësve, pasi biznesmeni nuk ka pasur asnjë konflikt me të arrestuarit. Hetimet nisën nga denoncimi në polici i vetë biznesmenit që rrëfeu se 2 persona kishin tentuar ta eliminonin fizikisht. Në një reagim të bërë pas arrestimit të 4 autorëve të dyshuar ai kërkoi zbardhjen deri në fund të ngjarjes dhe gjetjen e urdhëruesit të atentatit ndaj tij.

Biznesmeni thotë se inkurajon institucionet ligjzbatuese që t’i shkojnë deri në fund tentakulave të krimit dhe kërkon që ato të mos ndalen përpara asnjë presioni apo shantazhi të drejtuesve të caktuar mediatike të lidhur me krimin.

Tv Klan