Rriten sërish shifrat e pacientëve në spitale

4 persona të tjerë nuk e përballuan dot infektimin me koronavirus në 24 orët e fundit. 3 prej tyre janë nga Tirana ndërsa 1 nga Durrësi të moshave nga 61 në 86 vjeç. Shkon kështu në 2539 numri i jetëve të humbura që nga nisja e pandemisë në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi një tjetër rritje të pacientëve në spitale ku aktualisht gjenden 175 persona, 12 më shumë se një ditë më parë. 33 prej tyre janë në gjendje më të rënduar, 15 më shumë se 24 orët e kaluara.

Të larta mbeten edhe shifrat e infektimeve të reja. Nga 5257 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë me Covid 869 qytetarë. Numri më i madh i rasteve të reja është zbuluar në Tiranë me 292 të tillë. Më pas vijnë Durrësi, Shkodra, Fieri, Lushnja dhe Vlora.

Mbi 12 mijë e 500 persona janë aktualisht të sëmurë në të gjithë vendin. Ia kanë dalë ta mposhtin virusin në 24 orët e fundit 862 qytetarë duke e çuar numrin e tyre që e kanë kaluar sëmundjen në mbi 141 mijë që nga nisja e pandemisë.

Tv Klan