Dy javë më parë, në një aksident automobilistik fatal në Peshkopi, humbi jetën çifti Gentian dhe Klodiana Karazajmi 34 dhe 28 vjeç. Ata lanë 4 vajza jetime nga 14 në 2 vjeç. Gjyshi dhe vajza e madhe bëjnë thirrje për ndihmë, pasi jetojnë në kushte ekstreme varfërie. Edhe “Stop” e “Fundjavë Ndryshe” bëjnë apel për të kontribuar për fëmijët e familjes Karazajmi e për t’i bërë me shtëpi të re.

“Mami ka ikur në Greqi me gjithë babin, edhe do vijë… edhe do shkojmë të mami dhe babi”.

Mes lotëve, kjo duket mënyra e vetme e gjyshes për të ngushëlluar më të vogël e çiftit Karazajmi, e cila kërkon prindërit e saj të ndjerë.

Pasditja e 10 Marsit do të ishte një ditë zie për fshatin Maqellarë në Dibër. Gentian dhe Klodiana Karazajmi humbën jetën në një aksident rrugor, si pasojë e përplasjes së një makine me motorin e tyre, duke lënë pas 4 vajza në kujdesin e gjyshërve, në kushte të mjerueshme, të cilat sot ulërijnë mes dhimbjes dhe pamundësisë.

“Nuk është një, por janë dy. Të ishte njëri me nënën, gjysma e së keqes… Me 4 vajza, unë nuk e dua jetën vetëm të më jetojnë vajzat pak më mirë. Se për vete shkova si shkova, edhe ata shkuan si shkruan”,

thotë gjyshja.

“Nuk kanë pasur asnjë të ardhur, vetëm një pension të gruas. Me 60 mijë lekë çfarë do bëjmë ne? A të paguajmë dritat, a të marr ndonjë ushqim. S’kam me i blerë një palë çorape, një palë këpucë…”

, tregon gjyshi i vajzave

.

“Është e vështirë”,

thotë vajza më e madhe e çiftit të ndjerë.

“Për motrat e kam vështirë, sepse nuk jetohet 4 vajza në këto kushte. Dëshirat që kanë motrat nuk mund t’ua plotësoj. Duan rroba, disa duan fletore për në shkollë, nuk mund t’ua plotësoj. Gjithçka për motrat, edhe sikur punën më të vështirë të më japin, mund ta bëj. Shkollën do ta le, gjithçka do të le, vetëm që motrat e mia të jenë mirë. Motrave sa të kem mundësi do i bëj me qesh, për vete e kam të vështirë… Të bën dhimbja që të jesh e fortë, se më ka lënë mami 3 barra në shtëpi. Gjyshja është e vjetër, është e sëmurë, edhe gjyshi po ashtu. E gjithë shtëpia më ka rënë mua mbi kokë. Unë dua që nga kjo shtëpi të largohem, sepse kam gjithë kujtimet e mamit. Nga të eci, nga të luaj vetëm mamin e babin shoh”,

thotë 14-vjeçarja.

“Stop” dhe “Fundjava Ndryshe” synojnë që familjes t’i sigurojnë një apartament në Tiranë.

“Është grumbulluar një shumë e konsiderueshme dhe ne duke kërkuar për të plotësuar pjesën tjetër, synojmë të marrim një apartament të bollshëm në Tiranë, ku të akomodohet e gjithë familja. Besoj se me ndihmën e medias dhe të gjithë shqiptarëve do të arrijmë ta realizojmë edhe këtë rast, ashtu siç kemi bërë çdo herë tjetër”

, tha në studio Arbër Hajdari, i “Fundjavë Ndryshe”.

/tvklan.al