Pa rezultat takimi i ambasadorëve për negociatat

Posta

Pa rezultat takimi i ambasadorëve për negociatat

15:34 14/10/2019

4 vende të BE: Tirana dhe Shkupi përmbushen kushtet

Përfundoi pa rezultat takimi i 28 ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Europian mbi draft-konkluzionet për hapjen e negociatave të anëtarësimit tê Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Dokumenti flet për një kombinim të qëndrimit gjerman dhe francez, për të hapur negociatat me Shqipërinë pasi Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë të jenë funksionale dhe të bëhet progres në reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR. 

Për vendin tonë qëndrimet variojnë midis një ‘Po’-je të kushtëzuar dhe një ‘Jo’-që mbështetet nga Holanda, e cila thotë se  Shqipëria  nuk është gati për këtë etapë të integrimit europian.

Televizioni Klan ka mësuar se Franca  nuk mbështet ndarjen në vendimmarrje për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndryshe nga Spanja dhe Danimarka. Burime zyrtare të Këshillit të ministrave janë shprehur për televizionin Klan se Greqia po e vështirëson kompromisin për Shqipërinë për shkak të rezervave që ka lidhur me trajtimin e minoriteteve.

Por  katër ministra të Jashtëm të Bashkimit Europian, ai i Çekisë, Sllovakisë, Hungarisë e Polonisë kanë kërkuar çeljen e negociatave te Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Në letrën që u drejtohet vendeve të tjera anëtare, ata thonë se këto shtete i kanë përmbushur detyrimet e lëna nga Brukseli.

“Nëse BE vendos nëse do të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është e rëndësishme të theksohet se të dy vendet kanë përmbushur kriteret që BE përcaktoi për ta, duke vendosur reforma të ndërlikuara të brendshme”.

Katër ministrat e Jashtëm shprehen se ky është një vendim i guximshëm që ndihmon jo vetëm këto dy shtete, por të gjithë rajonin

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë duke pritur me padurim fillimin e një faze të re të procesit të integrimit në BE. Është koha për të marrë një vendim të guximshëm për të ardhmen, jo vetëm këtyre dy vendeve, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.”

Drafti do diskutohet fillimisht në samitin e ministrave të Jashtëm që do të mbahet të martën dhe mërkurën në Bruksel dhe më pas do të jenë liderët e vendeve anëtare që do të marrin vendimin për çeljen ose jo të negociatave në samitin dyditor të 17 dhe 18 Tetorit.

Tv Klan


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT