Rritet sërish numri i pacientëve në spitale

4 persona të tjerë humbën jetën në 24 orët e fundit si pasojë e infektimit me koronavirus në vendin tonë. 2 prej tyre janë nga Tirana ndërsa të tjerët i përkasin Kavajës dhe Fierit. Shkon kështu në 2523 numri i jetëve të humbura që nga nisja e pandemisë në vendin tonë.

Një tjetër rritje kanë pësuar edhe pacientët e shtruar në 2 spitalet covid ku aktualisht po marrin 152 persona, nga të cilët 15 janë në gjendje më të rënduar në terapi intensive.

Edhe kjo e martë shënoi një numër të lartë infektimesh të reja. Nga 5544 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 740 qytetarë. Një numër të madh rastesh të reja ka Tirana me 252 të tillë e ndjekur nga Fieri, Shkodra, Durrësi dhe Saranda. Raste të reja ka pothuajse në të gjitha bashkitë.

Ministria e Shëndetësisë tha se në të gjithë vendin numërohen mbi 12 mijë të sëmurë aktivë ku pjesa më e madhe e tyre ndodhet në Tiranë, Shkodër dhe Durrës.

Në 24 orët e fundit raportohet për 715 persona të shëruar duke e çuar në mbi 137 mijë numrin e atyre që e kanë kaluar sëmundjen që prej nisjes së pandemisë.

Tv Klan