Shifra më e ulët që prej 12 Qershorit 2020

Vijon të bjerë kurba e infektimeve në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë raportoi se nga 1444 testime të kryera në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë vetëm 30 qytetarë, shifra më e ulët kjo që nga 12 Qershori i vitit të shkuar. Harta e përhapjes së virusit është reduktuar në vetëm 15 bashki, ku Tirana ka dhe numrin më të madh të rasteve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, fatkeqësisht gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 4 pacientë, nga Gjirokastra, Berati, Pogradeci dhe Fushë-Arrëzi, të moshave 51-79 vjeç.

Të gjitha rastet e infektimeve me koronavirus që kanë patur nevojë për mjekim spitalor në 48 orët shkuara janë drejtuar në spitalin Covid-2, apo spitalet rajonale, duke e lënë në qetësi spitalin Covid-1.

Në të gjithë vendin në 2 spitalet Covid në kryeqytet dhe spitalet rajonale numërohen 99 të shtruar, 6 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.

42 pacientë po trajtohen në spitalin Covid 1, në Infektiv, 38 në spitalin Covid 2, në Sanatorium dhe 19 në spitalin rajonal të Durrësit dhe atë të Shkodrës.

Tv Klan