Numri i të infektuarve arrin në 170 pacientë

Një burrë nga Ferizaj është viktima e katërt nga koronavirusi në Kosovë. Ai kishte ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore në Klinikën Emergjente ndërsa pas analizave ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Në spitalin rajonal të Ferizajt është vetëizoluar stafi që kishte pasur kontakt me të.

Ndërsa numri i të infektuarve po rritet çdo ditë, qyteza e Malishevës prin me numrin më të madh të të infektuarve.

Ndonëse në karantinë tani e tri javë kjo qytezë ka ndërmarrë masa shtesë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Kurse Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vizituar gjatë ditës komunën e Gjilanit dhe atë të Kamernicës për t’u interesuar se si po përballen këto dy komuna pas rasteve me këtë virus.

Ka thënë se muaji Prill është vendimtar për koronavirusin, ndërsa kur u pyet për të mandatuarin e qeverisë tha se nuk kanë kohë për të luajtur ping-pong politik.  

“Nuk kemi kohë të humbim me çështjen e ping-pongut politik. Jemi të angazhuar në luftimin e virusit dhe nëse e shpërqëndrojmë veten në çështje tjera do ta dobësojmë veten në frontin e shëndetit publik”.

Ndërsa qeveria në detyrë do të mbajë sërish mbledhje në distancë për të shqyrtuar masat e qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. 

Tv Klan