Në lagjen numër 5 të Kamzës 40 familje ankohen se prej 25 vjetësh nuk kanë ujë. Banorët tregojnë se paguajnë taksat e kanalizimeve, por kanalizime nuk kanë.

Shumë herë kanë bërë ankesa në bashki, por nuk kanë marrë përgjigje. Në vitin 2020 banorët përdorin ujin e pusit, analizat e të cilit e nxjerrin me hekur nikel dhe fekale.

 “Përshëndetje “Stop”-i, jam banor i Bashkisë Kamëz, ka 20 vjet që nuk kemi ujë të pijshëm dhe as kanalizime. Ne paguajmë paret. 10 vitet e fundit kemi paguar kanalizimin, kemi faturat dhe dokumentet që po i paguajmë. Bashkia nuk na përgjigjet. Jemi 40 familje, kemi qenë në bashki, por s’na përgjigjet. A funksionon bashkia jonë, apo nuk funksionon? Ne jemi 40 familje, si ka mundësi, në vitin 2020 të mos kemi ujë të pijshëm, të mos kemi kanalizime, të mos përgjigjet shteti? Shkoni thonë tek shtëpia, kur të vijnë votimet do ua bëjmë kanalizimet. Ky është uji i pusit, pusi është 8,5 metra i thellë dhe këtë ujë e përdorim për tu larë, për ujë të pijshëm e të gjitha. Kam bërë analizat dhe ka dalë me hekur-nikel, me ujëra të zeza, me gur gëlqeror e faqja e zezë.”

Për problemin e këtyre “Stop” iu drejtuam Ujësjellës Kanalizimeve të Kamzës, ku drejtori Shpëtim Leskaj thotë, se situata është trashëgimi e pushtetit të mëparshëm.

Ai flet për një projekt, që kërkon 15 muaj për t’u zbatuar plotësisht.

“Situata është ashtu siç thoni ju. Është e vërtetë që është pa rrjet kanalizimesh. Ka qenë e pamundur ndërhyrja, por nuk është se është lënë pas dore. Kemi bërë gati projektin për të ndërhyrë në atë zonë. Ka qenë e pamundur sepse nëse do të zgjidhja prioritetet për të ndihmuar zona, do të doja bashkë me kamerën tuaj, të shkojmë në disa zona që janë në rrezik epidemie. Ajo zonë ka dy probleme, niveli ku ata banojnë është shumë i ulët në krahasim me nivelin e shkarkimit. Ky është një problem teknik që merr kohën e vet. Ne e kemi bërë projektin, e kemi gati, shpresojmë që me  këmbënguljen e kryetarit të Bashkisë dhe me mbështetjen e qeverisë të ndërhyjmë në atë zonë. Brenda këtij viti shpresoj ta zgjidhim këtë problem.” /tvklan.al