Balluku: Punonjësit e OSHEE-së përfitojnë rritje page deri në 30%

Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se qeveria ka gati paketën prej 40 milionë eurosh që do të investohet në sistemin energjetik. Sipas saj këto investime jepen për të përmirësuar furnizimin me energji elektrike, ku prioritet janë zonat turistike.

“Duke optimizuar humbjet teknike, vetëm gjatë një viti ne kemi arritur që të kursejmë 8 mln euro, të cilat përkthehen në investime. Shoqëria sot ka nisur një plan investimesh prej rreth 40 mln eurosh dhe nga ana tjetër sot që flasim janë lidhur kontratat për të gjitha ato punime që arrijnë vlerën e 15 mln eurove.”

Balluku u shpreh se është kryer një studim i mirëfilltë i territorit si dhe janë përcaktuar zonat ku do të investohet. Gjatë takimit me punonjës të OSHEE-së, Balluku prezantoi reformën e pagave në këtë sektor.

“Paga e elektricistit që deri më sot ka qenë rreth 50 mijë lekë shkon në 70 mijë lekë, një ndryshim prej 29% dhe kini parasysh që do të aplikohet për herë të parë dhe vjetërsia në punë që do të bazohet mbi atë skemë që tashmë është aplikuar edhe në administratën publike.

Një ndikim në rritjen e nivelit të arkëtimeve, sipas Ballukut, kanë edhe 500 matësit elektronike të vendosur që tashmë nuk lejojnë faturimet aforfe.

Klan News