Veliaj: 12 i hapim këtë vit shkollor

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka vizituar selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve prej nga ka uruar besimtarët për ditën e ashures.

Veliaj zgjodhi këtë moment për të folur mbi investimet në infrastrukturën arsimore, ku theksoi se deri më tani janë 40 shkolla të reja, një rekord për qytetin.

“Sot kemi një grup të madh kolegësh që po merren me përgatitjen e vitit të ri shkollor. Në Tiranë do të hapim 12 shkolla të reja. Infrastruktura ndihmon, por është dija ajo që na bën njerëz, që na europianizon, që sjell progres…. këtë vit ulim ndjeshëm mësimin me dy turne dhe nuk besoj se ka një shkollë në Tiranë që të jetë e gjitha me dy turne”.

Situata shqetësuese e zjarreve në vend po ashtu u komentua nga kryebashkiaku, i cili apeloi t’u jepet fund zjarreve të qëllimshme në Tiranë.

“i lutem të gjithë qytetarëve – disa gjëra vërtetë nuk i kemi në dorë, si pandemia apo tërmeti, por zjarret që i vëmë vetë nëpër fshatra janë kriminale, aspak njerëzore. Për të gjitha këto arsye, u bëj thirrje që, në këto ditë kur të gjitha përpjekjet i kemi fokusuar te hapja e shkollave të reja dhe mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit që shfaqen për shkak të temperaturave të larta, të sillemi si europianë sepse të tillë na bën vetëm sjellja”.

Kryebashkiaku shtoi se për emergjencat që mund të shfaqen nga zjarret, bashkia është në gatishmëri me tre turne.

Tv Klan