Dyzet të burgosur janë gjetur të vdekur në katër burgje të ndara në Manaus të Brazilit. Trupat e pajetë u konstatuan gjatë inspektimeve rutinë. Zyrtarët e burgjeve thanë se viktimat i përkasin të njëjtit grup të trafikut të drogës. Ata ishin përleshur me njëri-tjetrin për shkak të përçarjeve të brendshme që kishin mes tyre. Trupat e pajetë të të burgosurve kishin shenja asfiksie, thanë autoritetet braziliane.

Pesëmbëdhjetë të burgosur mbetën të vrarë nga përleshjet mes tyre, disa të tjerë u qëlluan me thika të improvizuara, kurse një pjesë tjetër ishin mbytur. Dhuna mes të burgosurve shpërtheu gjatë orarit të vizitave. E ëma e një të burgosuri e konsideroi “kaos total” atë çfarë kishte ndodhur.

“Nuk ishte një rebelim, por luftë mes të burgosurve”, tha Marcus Vinicius, përgjegjës për sigurinë e burgjeve. Ai tha se gjithashtu vrasjet brenda burgjeve janë të pashmangshme, teksa theksoi se të burgosurit thyen një rregull të pashkruar, “për të mos vrarë asnjë gjatë vizitave familjare”.

“Duhet të kemi pjekurinë për të kuptuar se në çdo burg të botës kur dikush dëshiron të vrarë, ka për ta bërë“, u shpreh zyrtari i burgjeve.

Brazili renditet i treti në botë për numrin e të burgosurve, më shumë se 700 mijë të tillë, duke mos llogaritur këtu 35 mijë të paraburgosur që mbahen në komisariatet e policive. /tvklan.al