Një nënë e 3 fëmijëve rrëfeu në programin “Historia ime”, në Tv Klan historinë e saj të vështirë. Ajo është martuar që në moshën 16-vjeçare me mblesëri. Pas 9 vitesh, për shkak të problemeve mes tyre, gruaja vendosi të ndahej prej tij dhe të kthehej tek prindërit, edhe pse ishte shtatzënë.

Pas lindjes së djalit, ajo njihet me një tjetër person dhe menduan pavarësisht se prindërit e saj ishin kundër, që të largoheshin së bashku në Greqi.

Marrëdhënia mes tyre ndryshoi kur ajo mësoi se ishte shtatzënë. Partneri nuk e donte fëmijën dhe kërkoi prej saj të abortonte.

40-vjeçarja rrëfeu në studio se gjatë kësaj periudhe është dhunuar prej tij.  Gjatë kohës që ishin në Greqi, ai e mbante brenda, nuk e linte të dilte dhe ishte shumë xheloz.

Mirela Milori: Pra shkove të jetoje me të?

40-vjeçarja: Po!

Mirela Milori: Po ku në Kamëz dhe ai?

40-vjeçarja: Në Greqi! Ikëm në Greqi.

Mirela Milori: Djalin e madh e le këtu?

40-vjeçarja: E lashtë tek babi dhe tek mami. Si shkova atje, ai më mbyllte brenda, me thënë të drejtën. Pastaj bëra një vit e ca ngela shtatzënë. Tek shtatzënia filloi dhuna.

Mirela Milori: Gjatë shtatzënisë?

40-vjeçarja: Po! Nuk e di mendja ime më dukej se nuk donte fëmijë me mua, se më thoshte do ta nxjerrim, do ikim në Shqipëri dhe do ta nxjerrim.

Mirela Milori: Do ta abortonit?

40-vjeçarja: Po, por unë nuk doja ta abortoja, se unë thashë të krijoja familje. Pastaj më solli tek shtëpia e vet në Durrës.

Mirela Milori: Sa kohë qëndrove në Greqi me të?

40-vjeçarja: Nuk qëndrova gjatë, gati 6 muaj.

Mirela Milori: Gjatë gjithë kohës të mbyllte brenda. Nuk dilnit të dy?

40-vjeçarja: Po më mbyllte brenda, nuk më nxirrte jashtë, vetëm brenda. Nuk më linte të flisja në telefon me mamin dhe me babin. Me thënë të drejtën kur kam ikur nuk kam pyetur as mamin, as babin, as vëllain, asnjeri.

Mirela Milori: Kur ike në Greqi?

40-vjeçarja: Po se e mora me dashuri, nuk pyeta njeri.

Mirela Milori: Po të shtëpisë çfarë të thanë?

40-vjeçarja: Më thanë ke bërë shumë gabim se nuk e di se çfarë njeri është. Më çoi në Greqi, më mbyllte brenda, ishte shumë xheloz. Kur jam lidhur me atë kam qenë më e shëndoshë, kam qenë gati 67 kile, ndërsa tani…

Mirela Milori: Dhuna filloi që kur ti ishte shtatzënë në Greqi?

40-vjeçarja: Po që në shtatzëni filloi dhuna!

Mirela Milori: Pinte apo vetëm dhunën?

40-vjeçarja: Me thënë të drejtën pinte shumë, edhe nga pija e kishte. Por edhe kur nuk pinte njëlloj ishte, i njëjti njeri ishte./tvklan.al