Drejtori i policisë shqiptare falenderon strukturat që punuan për sekuestrimin e drogës

Agjencia Federale Amerikane e Anti-Drogës (DEA) ka reaguar për herë të parë për sekuestrimin e 400 kg kokainë në Lipjan të Kosovës. Sipas një reagimi të zëdhënësit të DEA-s, në këtë operacion janë përfshirë disa agjenci të zbatimit të ligjit, mes tyre dhe zyrat e agjencisë federale në Romë dhe Athinë. Sipas tij, bashkëpunimi midis këtyre shërbimeve ka luajtur rol kryesor në këtë rast që çoi në identifikimin dhe sekuestrimin e 400 kilogramëve kokainë dhe arrestimin e shtatë personave.

Për lëndën narkotike e cila kaloi tranzit në vendin tonë, por nën monitorimin e agjentëve të anti-drogës, drejtori i përgjithshëm i policisë, Ardi Veliu ka vlerësuar departamentin e policisë kriminale dhe atë të kufirit. Veliu dha vlerësimet për vartësit të cilët për 15 ditë ruajtën konfidencialitetin dhe nuk dekonspiruan asnjë veprim.

Kokaina u kap dy ditë më parë në Lipjan, në një kamion transportues nga Amerika Latine nëpërmjet portit të Durrësit në Shqipëri.

Klan News