Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Pro Business” me gazetaren Oljana Maloku në TV Klan, Brunilda Isaj, sekretare e përgjithshme e shoqatës “Mikrofinanca Shqiptare”, theksoi ndikimin pozitiv të 400 milionë Euro në sektorin e mikrofinancës, të shpërndarë nëpër biznese të vogla, fermerë dhe individë me kredi mesatare prej 850 Euro.
Mikrofinanca po punon për të ngushtuar hendekun gjinor, duke ofruar mundësi të barabarta për gratë në biznes.
“Gratë janë ripaguese më të mira të kredive dhe kanë cilësi më të lartë kredidhënieje”, vuri në dukje Isaj.
Pavarësisht nga krizat, këto segmente kanë treguar kthyeshmëri të shëndetshme (4-4.5%), ndërsa mikrofinanca kërkon një kuadër ligjor më të qartë për trajtimin e kredive me probleme.
Isaj më tej tregoi sfidat me të cilat hasen bizneset dhe fermerët. Sipas saj 30% e familjeve me të ardhura të ulëta rrezikojnë të humbasin aksesin në kredi për shkak të rregullave të reja. Kurse 70% e bizneseve ende luftojnë për financim bankar. Nga ana tjetër bujqësia ka nevojë jo vetëm për fonde, por edhe për asistencë teknike dhe ndërmjetësim në treg.
Mikrofinanca parashikon ulje të normave të interesit dhe kërkon qasje në skemat e garancive sovrane për të lehtësuar kreditimin dhe po ashtu ngre nevojën për një kuadër ligjor për trajtimin e kredive me probleme.
“Tregu ka vend për të gjithë, por nevojitet bashkëpunim më i ngushtë ndërinstitucional”, theksoi Isaj./tvklan.al