Dëmi ekonomik për të gjithë rrugën Tiranë – Elbasan është 36.8 milion dollarë. Raporti përfundimtar i auditit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ka gjetur se për të tre segmentet ka patur planifikime dhe shtesa në kontratë të cilat janë bërë pasi kompania kontraktore ka kryer njëherë punimet, por janë pranuar fatura që janë dorëzuar prej saj edhe pse shumat nuk ishin firmosur më parë nga autoritet.

Raporti thotë se është anashkaluar Avokatura e Shtetit, e cila duhet të ishte marrë në këtë rast si asistente për lidhjen e kontratës dhe po ashtu janë zgjatur afatet sipas kërkesave që ka bërë kompania, duke sjellë dëme për palën shtetërore.

Në total rruga Tiranë – Elbasan ka marrë vetëm për kreditë e huaja 328.2 milion dollarë, kur planifikimi fillestar i saj për fondet nga jashtë ka qenë 222 milion dollarë. 100 milion të tjera kanë qenë shtesat në kontratë, të cilat dyshohet nga grupi i auditimit janë bërë për të favorizuar në tender një kompani të caktuar.

Nëse llogaritet brenda kësaj shume dhe financimet e qeverisë shqiptare për studimin e fizibilitetit dhe pagesat e TVSH-së rruga arrin një faturë prej  402 milion dollarësh, e cila nuk do të jetë e shifra e fundit, pasi ende nuk ka përfunduar. Burime zyrtare bëjnë me dije se pas dy ditësh grupi i inspektimit do të hartojë dhe konkluzionet dhe rekomandimet për gjetjet që janë bërë në këtë rrugë.

Tv Klan