Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar vendosjen e fashës 800 kilovat/orë. Vendimi për këtë fashë hyn në fuqi nga muaji Tetor 2022 dhe do të jetë i vlefshëm deri në Dhjetor 2022.

Pas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë për vendosjen e fashës 800 kilovat/orë, deputetja e PD-së Jorida Tabaku në një prononcim për mediat është shprehur kundër këtij vendimi.

Gjatë fjalës së saj për gazetarët, Tabaku ka treguar masat që ka propozuar opozita për përballimin e krizës energjetike teksa ka shtuar se “ERE, me vendimin e marrë nuk ka mbrojtur interesin e qytetarëve”.

Jorida Tabaku: Është e pajustifikueshme rritja e çmimit të energjisë. I kërkuam ERE që të mbrojë interesin e qytetarit. Mosrritja e pagave, por njëkohësisht rritja e taksave kanë krijuar një ngrëç në ekonominë shqiptare që nuk po ka përgjigjen me mbrojtjen e shtresave nga qeveria. Asnjë qeveri në botë nuk rrit taksat në periudhë krize, vetëm qeveria shqiptare po e bën këtë. Është e pajustifikueshme rritja e çmimeve.

Bashkë me Z. Hoxha, ne propozuam disa masa:

Masa e parë lidhet me strategjinë e qeverisë për diversifikimin e burimeve të energjisë që përdoren sot. Qeveria duhet patjetër që të diversifikojë energjinë e përdorur. Nuk e kemi luksin që të vazhdojmë akoma në situatën ku ndodhemi pas 10 vitesh  me justifikime.

Së dyti, një transparencë totale që përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Helidon Bushati në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese ka kohë që e ka kërkuar, për hetimin e shpenzimeve të KESH-it, të OSHE. Dosjet që janë sot në SPAK duhet të ishin objekt hetimi. Kursimet kemi kërkuar që të gjenden në këto kompani.

Kemi bërë propozime të tjera në Parlament. Të gjitha kompanitë që kanë pasur të ardhura shtesë nga kriza, të kenë një taksë më të lartë, e cila do t’i shkojë ekonomisë. Llogariten të kenë një taksë më të lartë, e cila do t’i shkojë ekonomisë. Nuk mund të lejojmë që edhe kriza të përdoret për të bërë biznes. ERE duhej ta mbronte interesin qytetar, por fatkeqësisht sot nuk e mbrojti.

Me vendosjen e fashës 800 kilovat/orë, abonentët që konsumojnë energji elektrike përtej 800 kilovat/orë do të paguajnë me çmimin 42 Lekë kilovati.

Deri në fashën 800 kilovat/orë çmimi do të jetë 9.5 Lekë kilovati sa është aktualisht. /tvklan.al