Policia Rrugorë ka vënë në pranga 8 shoferë në 24 orët e fundit. Në një njoftim për mediat policia bën me dije se 4 janë arrestuar për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.  

Po ashtu njoftohet se janë pezulluar 43 leje drejtimi, nga të cilat 31 për shpejtësi mbi normat e lejuara. Më e larta që është kapur nga radari është 187 km/h në By Pass-in e Fierit, në sensin e lëvizjes Fier – Vlorë.

Ndërkohë 12 patenta janë pezulluar për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Në të gjithë vendi mësohet se janë ndëshkuar 1898 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë./tvklan.al