Ky është Shkëlzen Velaj, 42-vjeçari i cili u vra mbrëmjen e së mërkurës para derës së shtëpisë në Vlorë. Velaj po kthehej në banesë kur pranë pallatit ku jetonte me të ëmën në lagjen “24 Maji”, pa një makinë që po e ndiqte. I frikësuar, ai e la makinën e tij të ndezur dhe u nis me vrap drejt shtëpisë.

Apartamenti ndodhej në katin e 5-të dhe kur 42-vjeçari arriti para derës, autori hapi zjarr. Këtë të enjte, të tronditur, fqinjët e familjes Velaj tregojnë se viktima i kishte thërritur të ëmës, duke i kërkuar që t’i hapte derën. Fatkeqësisht, kur arriti ta hapte, ajo e gjeti të birin të mbuluar nga gjaku.

6 vjet më parë, gruaja humbi një tjetër djalë, Ardi Velajn, i cili mbeti i vrarë në atë që njihet si masakra e Çoles. Ndërsa as bashkëshorti i saj nuk jeton më. I vetmi i mbijetuar i familjes Velaj është një djalë që jeton në Itali.

Shkëlzen Velajn fqinjët e përshkruajnë si një person të rregullt dhe thonë se çfarë ka ndodhur është një fatkeqësi e madhe.

Shkaqet e ngjarjes së rëndë, që ndodhi pak para mesnate, mbeten të paqarta. Dyshimet janë se vrasja e Velajt ka motiv hakmarrjen. Gjatë orëve të mëngjesit, mësohet se policia e Vlorës ka shoqëruar të paktën 4 persona. Ndërkohë, autorët e ngjarjes, pas vrasjes e dogjën automjetin në afërsi të fshatit Risili./tvklan.al