“Kampi i Gjadrit mbetet sërish pa emigrantë. Mesditën e kësaj të shtune është bërë i mundur dërgimi i 43 emigrantëve drejt Italisë”, raporton gazetari i Tv Klan, Martin Marku.

Të 43 emigrantët mbërritën mbrëmjen e së shtunës pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit të Romës, që i cilësoi të paligjshme dërgimin e tyre në Gjadër të Shqipërisë.

Por pavarësisht këtij vendimi, qeveria Meloni është e vendosur për të zbatuar marrëveshjen e firmosur me atë shqiptare.

Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, ministria e Brendshme ka bërë të ditur se pavarësisht këtij kthimi, do të vijohet me dërgimin e emigrantëve drejt Gjadrit.

“Qeveria do të ecë përpara me besimin se lufta kundër emigracionit të parregullt që përfiton nga përdorimi instrumental i kërkesave për azil është rruga që duhet ndjekur për të luftuar biznesin e trafikantëve të paskrupullt. Protokolli Itali-Shqipëri është modeli nga i cili duhet nisur për krijimin e qendrave reale rajonale mbi të cilat ka pasur konvergjencë të plotë nga ministrat europianë”.

Ky është vendimi i tretë që gjykata e Romës kundërshton qeverinë Meloni në marrëveshjen e lidhur mes Italisë dhe Shqipërisë për dërgimin dhe mbajtjen në Gjadër të emigrantëve të paligjshëm.

Deri tani në Shqipëri kanë mbërritur në total 62 emigrantë të paligjshëm, të cilët janë kapur nga autoritetet në ujrat italianë e që kanë patur si qëllim përfitimin e statusit të azilantit.

Ndërkohë çështja e emigrantëve që synojnë të mbërrijnë në Itali pritet të merret në shqyrtim edhe nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Tv Klan