43 viktima në 10 ditë nga Covid


43 viktima në 10 ditë nga Covid

15:34 11/08/2020

Rëndohet situata e pacientëve në spitale

Covid-19 ka shkaktuar 43 viktima vetëm në 10 ditët e para të Gushtit, me një trend më agresiv se në muajin Korrik që u mbyll me 93 viktima. Kjo shifër është thuajse 1 e 4 e gjithë totalit të viktima të regjistruara në vendin tonë që prej nisjes së qarkullimit të virusit në 8 Mars.

Trendi është më agresiv se ai i muajit Korrik, ku u regjistruan 93 viktima. Nëse fatalitetet do të jenë në këtë nivel, Gushti parashikohet të ketë shifra edhe më të larta.

Çdo ditë të këtij muaji mesatarisht 4 persona e kanë humbur betejën me koronavirusin.

Rastet e rënda të atyre që janë në terapi intensive dhe intubim kanë ardhur në rritje, krahasuar me muajin Korrik.

Në total, në dy spitalet e posaçëm po marrin mjekim 124 persona, sipas të dhënave zyrtare. Kjo shifër përbën një rekord të ri të shtrimeve. 18 paciente po trajtohen në shërbimin e reanimacionit ndërsa 4 janë të intubuar. 

Mjekët pohojnë se mes rasteve të rënda ka edhe mosha të reja. 

Edhe të infektuarit kanë ardhur në rritje gjatë këtij muaji duke variuar mes 100 dhe 130 raste Covid pozitiv në ditë.  Në spitalin “Shefqet Ndroqi” veç rasteve të konfirmuara pozitiv po trajtohen edhe rastet e dyshuara, që kanë shqetësime të ngjashme me pasojat që sjell Covid-19. 

Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 47 vjeç. Grupmosha 55-64 vjeç zë përqindjen më të lartë të të prekurve me 19.7% të rasteve të konfirmuara e ndjekur nga grupmosha 25-34 vjeç me 18.5% të rasteve.

Tv Klan




Të ngjashme