Një grua 44-vjeçare është sulmuar për vdekje nga qeni i saj i rracës “pitbull”. Ngjarja ka ndodhur në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Viktima Melissa Astacio ishte në shtëpi kur u sulmua nga qeni i saj. Por, mediat amerikane shkruajnë se 44-vjeçarja pësonte shpeshherë kriza për shkak të një sëmundje.

Ka qenë vajza e viktimës që thërriti policinë për t’i ardhur në ndihmë nënës së saj. Melissa u dërgua në spital me plagë të rënda, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte.

Vajza e të ndjerës ka thënë për mediat se nuk beson që qeni të ketë sulmuar për vdekje të ëmën e saj, por gjithçka ndodhi për shkak të krizave që 44-vjeçarja pësonte vazhdimisht.

“Nuk mendoj se qeni u përpoq ta sulmonte. Mendoj se qeni thjesht po përpiqej të ndihmonte mamanë time, por ai është thjesht një qen nuk mund të bënte më shumë”, ka thënë ajo.

Vajza ka shtuar gjithashtu se qeni i tyre i quajtur Amigo nuk ka qenë kurrë i dhunshëm. Edhe pse rraca e pitbullëve konsiderohet si qen i rrezikshëm, ekspertët thonë se jo domosdoshmërisht janë më agresivë se rracat e tjera.

Ky rast është në hetim për të zbuluar konkretisht çfarë ka ndodhur. Megjithatë, policia ka përjashtuar pistën e një ngjarje kriminale ku të jenë përfshirë persona të tjerë. /tvklan.al