Banorët telefonojnë të alarmuar policinë

Të shtënat me armë zjarri në lagjen “Kodra e Priftit” në Tiranë alarmuan banorët e kësaj zone të cilët telefonuan policinë se një person qëllonte me armë në ajër.

Drejt vendit të ngjarjes u nisën menjëherë forcat e Komisariatit Nr.4 të Policisë së Tiranës dhe arrestuan të dyshuarin, 48-vjeçarin Adnand Gaxheri, banues në të njëjtën lagje.

Ky person qëllonte në ajër me fishë manovër. Ndërsa në banesën e tij uniformat blu gjetën dhe sekuestruan 4 pistoleta sportive të llojeve dhe markave të ndryshme që përshtaten edhe si armë zjarri si dhe një shotgun me shënjestër optike, pa lejen përkatëse.

Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 6 gëzhoja që ky shtetas kishte qëlluar me fishekë manovër, duke terrorizuar banorët.

48-vjeçari Gaxheri akuzohet për “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”. /tvklan.al