24 orë pa pacientë të rinj në spitalin “Shefqet Ndroqi”

Vetëm 1 viktimë u shënua nga koronavirusi në 24 orët e fundit në vendin tonë. Ai është një 71-vjeçar nga Berati që ndërroi jetë si pasojë e infektimit me virusin. Shkon kështu në 2427 numri i viktimave që nga nisja e pandemisë. Jo vetëm viktimat, por edhe rastet e reja kanë shënuar një shifër të ulët në 24 orët e fundit.

Nga 2964 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë vetëm 49 qytetarë. 9 nga rastet janë në Tiranë ndërsa të tjerët i përkasin Pogradecit, Shkodrës, Devollit, Elbasanit, Korçës, etj. Numri i personave aktive më Covid në vend ka zbritur në 7407 pasi Ministria e Shëndetësisë raportoi se në 24 orët e fundit janë shëruar 983 qytetarë duke e çuar numrin e tyre në mbi 122 mijë.

Një situatë e përmirësuar edhe në spitalet Covid ku numri i pacientëve ka njohur një tjetër rënie. Aty trajtohen 84 pacientë nga të cilët 5 pacientë janë në terapi intensive ndërsa për herë të parë nuk ka asnjë të intubuar.

Për herë të parë pas 14 muajsh, në spitalin “Shefqet Ndroqi” janë shënuar 24 orë ku nuk ka pasur asnjë pacient të ri me Covid-19. Fundjavën që shkoi edhe në Spitalin Infektiv nuk pati shtrime të pacientëve me Covid për dy ditë. Edhe pse shifrat janë në rënie autoritetet apelojnë për të mos neglizhuar masat mbrojtëse.

Tv Klan