Emisioni “Historia ime” në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e 49-vjeçares Albina Lleshi, e cila prej 30 vitesh ka probleme në lëvizje, për shkak të një aksidenti.

Për 3 muaj është detyruar të qëndrojë pa lëvizur, i është dashur të kalojë shumë peripeci dhe vuajtje dhe vetëm pas 17 vitesh ka mundur të kryejë operacionin që i nevojitej.

Pas operacionit arriti të gjente punë si sekretare në një shoqatë, ku u integrua mjaft mirë dhe ajo që bënte i pëlqente dhe i përshtatej mjaft mirë.

Por pas 10 vitesh, 49-vjeçaren e larguan nga puna me pretendimin se ai pozicion pune do mbyllej, por sipas Albinës, kjo nuk është e vërtetë dhe është një farë diskriminimi që asaj i bënë, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Mirela Milori: Ke kërkuar punë?

Albina Lleshi: Po, pasi u ktheva nga spitali para 10 vitesh, u ktheva direkt në punë, pas një farë kohe 1 muaj, 1 muaj e gjysmë që qëndrova në shtëpi. Punova në një shoqatë si sekretare, meqë kisha mbaruar shkollën për sekretari. Kjo ishte një punë shumë e mirë për mua, shumë e përshtatshme sepse unë kisha mundësi të lëvizja nëpër zyrë, isha më mirë, ndjehesha më mirë dhe pastaj më jep edhe një ngritje nga ana morale. Ajo ishte një eksperiencë shumë e bukur.

Mirela Milori: Sa zgjati?

Albina Lleshi: Kjo ka zgjatur 10 vjet, unë punova aty dhe kam marrë një eksperiencë jashtëzakonisht të bukur.

Mirela Milori: Po tani?

Albina Lleshi: Në 2017-n, shefat që ishin në zyrë ishin të huaj, ishin italianë. Në momenti që ata u larguan nga Shqipëria dhe lanë si drejtues dy persona shqiptarë, ata hoqën gjithë personelin edhe mua njëkohësisht. Ndërkohë që të gjithë i thoshin vetëm Albinën mos e hiq, edhe mua nuk më kursyen dhe më hoqën nga puna. Dhe madje e mbyllën vendin tim dhe nga ana tjetër morën 4 vajza të tjera, të reja në punë. Domethënë nuk ishte problemi që nuk kishte vend pune për mua, por ishte një farë diskriminimi.

Mirela Milori: E kërkove nga ana ligjore?

Albina Lleshi: Unë për sa i përket anës ligjore, me thënë të drejtën nuk e kam kërkuar. Pse nuk e kam kërkuar? E para nuk e kam kërkuar, se isha e bindur që ata persona që më hoqën mua nga puna, kanë shkuar më përpara e kanë studiuar shumë mirë situatën, se çfarë do i ndodhte dhe kanë marrë masa me avokatë, me të tjerë, që do e fitonin se s’bën ata gjyqin. Pastaj kam menduar dhe anën shpirtërore, kam thënë unë do t’i fal, përderisa unë jam një besimtare dhe nuk dua të hakmerrem. Ata e bënë, le ta bëjnë për vete dhe nuk i jam futur absolutisht asnjë lloj gjëje./tvklan.al