Një nga projektet e rëndësisë së veçantë për industrinë minerare, traverbanku i Klosit ka avancuar punimet, e rifilluara në gusht të vitit 2015, me mbështetjen që i është dhënë nga Ministria e Energjetikës dhe Industrisë.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Energjetikës dhe Industrisë Damian Gjiknuri, ishin në minierën e Bulqizës, ku kompania Albchrome po investon 5.8 milionë dollarë për zhvillimin e këtij projekti që përbën një hallkë të rëndësishme në ciklin e mbyllur prodhim-përpunim.

“Paralelisht me zhvillimin e minierës së Bulqizës dhe të vendburimit të Qafë Buallit parashikohet që minerali i Bulqizës të transportohet me anë të një linje hekurudhore në impiantin e seleksionimit të Klosit, ku pasi të përpunohet të shkojë në uzinat e Ferro-kromit. Impianti i Klosit është gati, janë investuar rreth 1.2 milionë dollarë”, deklaroi inxhinieri i këtij projekti.

Kryeministri Rama vuri theksin tek rëndësia e investimeve që riaktivizimin e industrisë përpunuese, që i jep një vlerë të shtuar kësaj industrie.

“Gjëja më e rëndësishme është se ne kalojmë në përpunim. Përpunimi rrit gjithë vlerën e shtuar dhe nga ana tjetër sjell edhe rritje punësimi, rrogash e mirëqenie,” deklaroi Rama.

Sipas drejtuesve të kompanisë Albchrome, pjesë e grupit Balfin, rëndësia primare në projekt është se shmang përmbytjen e minierës dhe rrit sigurinë në punë.

Në Bulqizë kryeministri u ndal edhe në investimet e realizuara nga OSHEE për vendosjen e matësave elektrike, duke thënë se  qeveria është angazhuar që t’i jap fund faturimit aforfe. /TV KLAN