30 tetor 2026 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ngjarje që nxiti protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar dorëheqjen dhe e ka liruar Hoxhën nga detyra.
Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi zyrtar. Në vend të tij, ushtrues detyre i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është caktuar Fehmi Hoti, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”, thuhet në njoftim.
Qeveria nuk ka bërë të ditura arsyet e dorëheqjes, ndërsa vetë Hoxha nuk ka dhënë një koment për këtë çështje deri në publikimin e lajmit nga Radio Evropa e Lirë.
Largimi i tij vjen në një kohë kur institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë po përballen me kritika për mënyrën se si është trajtuar rasti i Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.
Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës pezulloi nga detyra 11 zyrtarë policorë, për shkak të përfshirjes së tyre në trajtimin e këtij rasti.
Mes të pezulluarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor, drejtues të tjerë policorë, si dhe katër hetues. Masa u morën edhe në sistemin e prokurorisë.
Nga detyra u pezulluan kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferri, e cila kishte trajtuar rastin.
Vrasja e Arlinda Zekajt shkaktoi protesta në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës. Qytetarët kërkuan drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet që kishin trajtuar rastin.
Kush është Gazmend Hoxha?
Gazmend Hoxha u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 8 mars 2023, pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai mori zyrtarisht detyrën më 13 mars të po atij viti, duke pasuar Fehmi Hotin, i cili deri atëherë kishte drejtuar Policinë si ushtrues detyre.
Hoxha iu bashkua Policisë së Kosovës në vitin 2000. Gjatë karrierës së tij, ai mbajti disa pozita drejtuese, mes tyre kreun e Departamentit Kundër Krimit të Organizuar, drejtorin e Divizionit të Sigurisë Publike dhe drejtorin e Departamentit të Operacioneve.
Sipas biografisë zyrtare, ai ka marrë pjesë në drejtimin dhe planifikimin e disa operacioneve policore, përfshirë ato për zbatimin e vendimeve lidhur me targat e automjeteve, mbylljen e rrugëve ilegale dhe luftimin e aktiviteteve të paligjshme në Kosovë.
Hoxha largohet nga drejtimi i Policisë së Kosovës pas më shumë se tre vjetësh në këtë detyrë. /Marrë nga REL
/tvklan.al












Botërori 2026 
