Pa kaluar 24 orë nga deklarata e Kryeministres Theresa May se do të dorëhiqet më 7 Qershor, në garën për ta zëvendësuar janë hedhur menjëherë 5 kandidatë.

Spikat kandidimi i ish-Sekretarit të Jashtëm, Boris Johnson, i cili shihet si një prej pretendentëve kryesorë për të pasuar May-n në postin e Kryeministrit. Zgjedhja e tij në krye të konservatorëve, sipas analistëve, do ta thellojë edhe më tej krizën që ka krijuar pamundësia për t’i dhënë zgjidhje procesit të shkëputjes nga Bashkimi Europian.

Johnson ka qenë në krye të grupit të 100 konservatorëve rebelë që e bënë të pamundur miratimin në parlament të marrëveshjes që May arriti me Brukselin. Bashkimi Europian ia ka bërë të qartë Londrës se nuk pranon rinegocim të marrëveshjes, siç kërkon Johnson.

Së fundi, në garë ka hyrë edhe kryediplomati aktual Jeremy Hunt, i konsideruar si pasues i linjës së May-t për Brexit-in. Kandidatët kanë kohë deri më 10 Qershor të zyrtarizojnë kandidaturat. Ndërsa anëtarësia e konservatorëve do të zgjedhë në fillim të Korrikut kryetarin e ri, që do të jetë edhe Kryeministër.

Disa liderë europianë vlerësuan punën e Theresa May-t për arritjen e një marrëveshjeje me Brukselin. Kancelarja gjermane Angela Merkel e konsideroi May-n si një zyrtare më të cilën ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë.

Tv Klan