Rriten shtrimet në spitale, 195 pacientë të hospitalizuar

5 qytetarë të tjerë nuk arritën ta fitojnë dot betejën me koronavirusin në 24 orët e fundit në vendin tonë, duke e çuar në 2,548 numrin total të viktimave në vendin tonë që prej nisjes së pandemisë. Ata janë dy qytetarë nga Tirana të moshave 55 vjeç dhe 75 vjeç, një qytetar nga Elbasani 61 vjeç, një qytetare nga Fieri 72 vjeçe, dhe një qytetar nga Shkodra 82 vjeç.

Situata në spitale vijon të përkeqësohet, teksa është rritur sërish numri i pacientëve që po marrim trajtim të specializuar mjekësor. Autoritetet shëndetësore raportuan për 195 pacientë, 20 më shumë se një ditë më parë, ku të shtruar ishin vetëm 175.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se 15 pacientë janë në gjendje më të rënduar. Lajmi i mirë është se edhe këtë të hënë ka vijuar trendi rënës i infektimeve me Covid. Nga 3,499 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 410 qytetarë, shifra më e ulët kjo që prej 16 gushtit të shkuar.

Tirana mban sërish vendin e parë me 147 raste të reja e ndjekur nga Durrësi me 39 raste, Fieri me 29 raste dhe Lushnja me 23 raste, ndërsa bashkitë e tjera kanë një numër më të vogël infektimesh. Aktualisht në vendin tonë janë edhe 12,619 raste aktive me covid-19.

Tv Klan