Konfirmohen 123 raste të reja, shtohen pacientët në spitale

Janë 5 viktimat nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Ministria e Shëndetësisë tha se u konfirmuan 123 raste të reja, ndërsa mjekët vërejnë me shqetësimin shtrimin në spital të moshave të reja, pa sëmundje bashkëshoqëruese. 4 nga viktimat e fundit të Covid-19 ishin me disa sëmundje bashkëshoqëruese, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa njeri prej tyre, një 65-vjeçar, nuk kishte sëmundje të tjera.

“Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, 3 qytetare nga Shkodra; një 47-vjeçare, një 51-vjeçare, një 72-vjeçare, me disa sëmundje bashkëshoqëruese. Kanë humbur jetën fatkeqësisht edhe 2 qytetarë nga Tirana; një 65-vjeçar pa sëmundje të tjera dhe një 70-vjeçar me sëmundje bashkëshoqëruese”.

Rastet e reja të konfirmuara nga 474 testime që janë kryer në terren janë 123. Shumica prej tyre në Tiranë, Durrës, Korçë dhe Fier. Ndërkohë në spitalet Covid, pacientët janë gjithsej 120 persona, 6 prej të cilëve të intubuar.

“Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe Spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 120 pacientë, 18 janë në terapi intensive, 6 prej të cilëve pacientë të intubuar”.

Që prej fillimit të pandemisë janë shëruar 3018 të prekur nga koronavirusi, por ajo që bie në sy ditët e fundit është se numri i të shëruarve është shumë më i vogël se rastet e reja. Mjekët vërejnë me shqetësim shtrimin në spital të moshave më të reja. Ministria e Shëndetësisë përsëriti thirrjen ndaj bizneseve dhe hoteleve të respektojnë protokollet e sigurisë për klientët e tyre, në veçanti respektimin e distancës fizike dhe mbajtjen e maskës gjatë shërbimit.

Tv Klan