Andrea Bregasi qëlloi disa herë me pistoletë në drejtim të makinës së Rudolf Zefi
Ky që shihni në këtë foto është Andrea Bregasi, i cili dyshohet se është autori i atentatit të së enjtes në Don Bosko. 32-vjeçari, sipas policisë së Tiranës është identifikuar nga kamerat e sigurisë dhe është shpallur në kërkim, pasi qëlloi disa herë me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Benz me drejtues Rudolf Zefin dhe dy persona të tjerë ndodheshin pasagjerë.
Policia ende nuk e ka arrestuar autorin e dyshuar, dhe për këdo që disponon informacion të vlefshëm për vendndodhjen e tij ofron shpërblim 5 mijë Euro.
Ngjarja ndodhi rreth orës 06:45 minuta teksa u qëllua me armë në drejtim të makinës së Zefit. Nga të shtënat nuk pati të lënduar. Gjatë marrjes në pyetje, Rudolf Zefi tha se nuk ka konflikte me askënd dhe nuk e di se kush mund ta ketë sulmuar.
Mësohet se 42-vjeçari ka një biznes në zonën e Medresesë. Policia ende nuk e ka një pistë konkrete si motiv për ngjarjen, dhe nuk përjashton mundësinë që autori të ketë ngatërruar objektiv.
Andrea Bregasi rezulton të jetë i dënuar më herët për grabitje me armë në një argjendari. Ai është liruar nga burgu në Dhjetorin e vitit të shkuar pas përfundimit të dënimit.
Klan News