Shtëpia e Bardhë autorizoi ushtrinë të përdorë forcën kundër emigrantëve të jashtëligjshëm nga Amerika Latine që janë dyndur në kufirin me Meksikën. Xhon Kelli, shefi i kabinetit të presidentit Tramp nënshkroi një memo që sipas mediave amerikane i jep autorizimin ushtrisë të përdorë edhe forcë vdekjeprurëse nëse sulmohet nga grupe të dhunshme të emigrantëve.

Letra i është dërguar Pentagonit. Por sekretari amerikan i shtetit Xhim Matis tha për gazetarët gjatë vizitës tek trupat ushtarake përgjatë kufirit, se ndaj emigrantëve nuk do të qëllohet me armë. Shefi i Pentagonit tha se trupave të policisë ushtarake nuk do t’u jepen armë. Ata do të mbajnë situatën nën kontroll dhe kanë urdhër vetëm për të arrestuar individë të dhunshëm mes emigrantëve.

Mbi 5 mijë trupa të ushtrisë amerikane kanë blinduar kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Mijëra emigrantë nga vendet e Amerikës Latine kanë mbërritur me karvanë të mëdhenj në kufijtë e Meksikës me Shtetet e Bashkuara, me shpresën për të fituar azil. Gjykata e San Franciskos pezulloi të martën një urdhër të presidentit Tramp për të ndalur shqyrtimin e kërkesave të tyre për azil. Sipas autoriteteve, kërkesat e tyre do të shqyrtohen në kufi dhe do të lejohet kalimi vetëm i atyre që vijnë nga vende ku diskriminohen dhe u rrezikohet jeta.

Tv Klan