Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Shqiponja-t ndërmorën mbrëmjen e së martës një operacion në qytetin e Elbasanit. Këtë të mërkurë, policia dha informacion zyrtar se për çfarë ishte kryer ky operacion dhe rezultatet e tij.

Kështu, ndërhyrja erdhi pas 5 muajsh hetime dhe kishte në fokus shkatërrimin e një grupi kriminal që merrej me shpërndarjen e drogave të forta, kryesisht kokainë.

Në pranga përfunduan 3 persona. Ata janë Gëzim Mama, 34 vjeç, Hekuran Halili, 44 vjeç dhe Simon Stefa, 54 vjeç, të tre banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit në banesën e Stefës u gjetën dhe sekuestruan 2 pistoleta, një sasi fishkësh dhe një sasi kokaine e ndarë në doza.

Nga hetimet e kryera, policia thotë se është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e këtyre personave, të cilët merreshin me shpërndarjen e kokainës në qytetin e Elbasanit./tvklan.al