Flora Ndreca, kontrollore e trafikut ajror të AlbControl që prej vitit 2002, në një lidhje me emision “Opinion” solli anën e saj të historisë sa i takon situatës së krijuar aktualisht në Aeroportin e Rinasit. Ndreca fillimisht sqaroi se ata nuk janë në grevë urie, pasi kjo nuk u lejohet me Kod Pune, por po bëjnë paaftësi të përkohshme për shkak të gjendjes së stresit. Ajo tregoi më tej se shkak për situatën e krijuar paraditen e kësaj të mërkure kishte qenë fakti se kërkesa e 5 kontrollorëve për të marrë disa ditë pushimi për shkak të gjendjes së stresit dhe lodhjes nuk ishte pranuar nga eprorët e tyre që i kishin pushuar nga puna. Kjo sipas kontrollores kishte sjellë edhe solidarizimin e kolegëve të tjerë, që këtë të mërkurën vendosën të shpallin gjendje të paaftësisë së përkohshme duke paralizuar lëvizjen ajrore.

Ju keni vendosur sot, grevë apo thjeshtë nuk jeni paraqitur në detyrë?

Absolutisht nuk duhet të përdoret fjala grevë, sepse neve greva nuk na lejohet në bazë të Kodit të Punës. Ne po bëjmë paaftësi të përkohshme.

Ju, infermierët mjekët, punonjësi te bukës, punonjësit e ujit nuk mund të bëjnë grevë. Po çfarë ka ndodhur?

Jemi përpara faktit të paaftësisë së përkohshme, që do të thotë kontrollorët e trafikut ajror e ndjenjë veten të stresuar, nuk mund të sigurojmë që ne jemi në gjendje të ofrojmë një shërbim në gjendjen që jemi.

Po stresi sot ju zuri, 78 kontrollorë brenda ditës?

Jo ju lutem. Stresi jonë ka filluar që para një viti, ku ne jemi munduar të ulemi të bëjmë dialog social me kompaninë.

Ju keni të drejtën tuaj që i takon si kontrollor ajror, që nëse keni probleme shëndetësore edhe pa u konsultuar tek mjeku, nëse jeni të stresuar nëse nuk ndjeheni mirë, mund të mos paraqiteni në punë.

Jo unë mund të paraqitem në punë dhe të them nuk mundem të operoj, ulem, por nuk ulem në frekuencë, pra nuk ofroj shërbim, Skema e kompetencës e thotë shumë qartë, nëse unë ulem në gjendje të stresuar, nëse mua më mungon përqendrimi në kufje, para radarit, unë atëherë gjobitem me një gjobë prej afro 2 milionë të vjetra. Pra unë kam zbatuar ligjin dhe kolegët e mi të cilën ndjehen në të njëjtën gjendje.

Pra nuk jeni në grevë, thjeshtë ndiheni të stresuar. Sa mund t’ju zgjasë stresi?

Stresi në këto momente, ne vetëm po na shtohet, për këtë ju siguroj.

Domethënë sa më shumë shtohet stresi juaj, nuk fluturojnë dot njerëzit.

Jo nuk është ashtu.

Ju thatë që jeni të stresuar, 78 kontrollorë ajrorë që ka Shqipëria që duhet të punojnë me turne nga 14-15 veta mos gaboj, janë të gjithë në gjendje stresi dhe ulen të punojnë. Pra nuk është grevë.

Nuk është kështu realisht. Po ju shpjegoj çfarë ka ndodhur dje. Unë bashkë me stafin tim ishim 6 veta në turn bashkë me supervizorin që menaxhon turnin. 5 nga ne u ndjemë të stresuar, nuk u ndjemë mirë, të pagjumë dhe vendosëm ta mbanim trafikun deri në fund të ditës dhe në fund të turnit që përkonte me orën 2 të drekës të plotësonim formular që përmban skema e kompetencës ku ne jemi të paaftë për të vepruar përkohësisht.

Ngaqë ishit të stresuar.

Po. Unë personalisht kam kërkuar 3-4 ditë periudhë relaksi. Në momentin që mbaruam turnin, supervizori dorëzon këto formularë tek eprori jonë. Nisemi për në shtëpi, marrim telefonatë nga drejtori operacional, eprorët tanë na thonë kthehuni. Kthehemi dhe gjendemi para faktit të një le të themi zgjidhjes së kontratës së punës.

Si zgjidhje të kontratës së punës, pse?

Nuk kishte një arsye, personalisht refuzova ta firmos, duke qenë që nuk më dha një arsye përse. Kjo ishte një nga faktet./tvklan.al