Ka degjeneruar në dhunë protesta e opozitës para Parlamentit, e cila nisi me tensione në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Si pasojë e dhunës mbetën mbetën të plagosur si efektivë policie, ashtu dhe protestues. Pesë punonjës policie u dërguan në Spitalin e Traumës me dëmtime kryesisht nga lëndët piroteknike dhe sendet e forta.

Partia Demorkatike deklaroi se 15 protestues kanë mbetur të plagosur. Mes të lënduarve pati edhe përfaqësues të medias. Policisë iu desh të përdorte gazin lotsjellës dhe ujin për të shpërndarë herë pas here protestuesit.

Një mjet i parkuar buzë rrugës ‘George Bush’ u përfshi nga flakët, por Partia Demokratike theksoi se zjarri nuk i është vënë nga protestuesit por nga vetë policia.

Dhuna në protestën e opozitës u dënua me forcë nga ministri i Brendshëm i cili deklaroi se përgjegjësit e dhunës nuk do t’i shpëtojnë ligjit. Sipas Lleshajt, këto janë pasojat e ethes për pushtet të një grupi të papërgjegjshëm parapolitik.

Për dhunën reagoi edhe Kryeministri Rama:

“Solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit”.

Në një tjetër reagim pas mbylljes së protestës e cila u shoqërua me tensione të shumta, Kryeministri Rama e cilësoi të turpshëm tubimin e opozitës duke mos kursyer edhe ironinë ndaj krerëve të PD-së e LSI-së.

“Nëse kjo ishte protestë e madhe, atëherë filxhani është shkencë, Saliu është astronom dhe pakica ështe shumicë! Në fakt kjo s’ishte as e madhe, as e denjë po thjesht e turpshme për PD e LSI! Këta humbës të pashërueshëm po rrisin çdo ditë faturën që do u presë sovrani më 30 Qershor”.

 

Tv Klan