Shpërndanin drogë me pica, arrestohen 5 persona


Shpërndanin drogë me pica, arrestohen 5 persona

09:03 28/07/2021

Në pranga edhe i riu që nuk iu bind urdhërit të policisë

Pesë persona kanë rënë në pragat e policisë në përfundim të operacionit antidrogë të zhvilluar pasditen e së martës në Tiranë ndërsa është bërë e mundur kapja e 1 kilogram e 128 gramë kokainë.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar për mediat, policia bën të ditur se ka arrestuar Gentian Koren 47 vjeç, Taulant Çokun 34 vjeç, Altin Gegën 28 vjeç dhe Erjon Prengajn 32 vjeç.

Policia thotë  se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin kokainë duke e fshehur në kuti picash, aktivitet që e zhvillonin në biznesin e Gentian Kores, në rrugën në rrugën “Kujtim Laro”, pranë zonës së quajtur “Xhamlliku”.

Të katërt këta shtetas, sapo kanë parë shërbimet e policisë kanë tentuar të largohen me vrap, ndërsa janë kapur më pas nga policia.

Gjatë largimit, ata janë përpjekur të fshehin lëndën narkotike, e cila gjatë kontrollit është gjetur nga efektivët e policisë. Mbi ta rëndon akuza për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu policia informoi se ka shpallur në kërkim edhe një shtetas tjetër me inicioalet  E.E, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje.

Në pranga ra edhe Gazmir Cani 26 vjeç, i cili nuk iu bind urdhërit të policisë për të ndaluar për verifikim dhe u largua me shpejtësi me makinë duke rrezikuar edhe jetën e punonjësve të policisë.

Operacioni i policisë u shoqërua edhe me një incident nga ana e uniformave blu, pasi ata ndaluan dhunshëm gazetarin Ergys Gjençaj teksa po filmonte me celular të gjithë aksionin e policisë.

Për këtë incident policia bëri të ditur se po verifikon respektimin e procedurave gjatë ndërhyrjes në operacion për gazetarin Ergys Gjençaj.

Tv Klan







Të ngjashme