5 janë personat e arrestuar për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen 5 Maji në Tiranë, ku mbeti i vrarë 27-vjeçari Mehmet Qema, i njohur edhe me pseudonimin “Tallman”. Ata janë të gjithë personat të cilët ishin të pranishëm në lokalin ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Disa orë pasi u vetëdorëzuan në polici, në një njoftim zyrtar për mediat Policia e Tiranës tha se kishte arrestuar Marius Demën 28 vjeç, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”, si dhe Erlind Pekën, 25 vjeç, Blerim Hotin, 28 vjeç, Frenkli Myftarin, 29 vjeç dhe Xhuljano Koçin, 19 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ndërkohë në gjendje të lirë u procedua 23-vjeçari M. H., për veprën penale  “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjithashtu, policia thotë se janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit dy të rinj të tjerë që ishin shpallur në kërkim, Bralid Aga 23 vjeç dhe A. C., 31 vjeç. Nga tërësia e provave dhe fakteve të grumbulluara nuk rezulton që të jenë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Policia sekuestroi gjithashtu pistoletën që i mori jetën 27-vjeçarit Qema dhe 1 fishek.

Shkak për vrasjen e  të riut Mehmet Qema dyshohet se u bë shakaja mes shokëve. Ai ndodhej në shoqërinë e shokëve të tij në një lokal në lagjen 5 Maji të kryeqytetit kur njeri prej tyre, Marius Dema e qëlloi aksidentalisht 27-vjeçarin. I përlotur Dema tregoi para uniformave blu se nuk e dinte që arma ishte e mbushur dhe se gjithçka ndodhi aksidentalisht./tvklan.al